Manipulimet e votave në Bjellorusi: BE bie dakord për sanksione ndaj 40 zyrtarëve por jo për Lukashenkon
Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord të Premten për të vendosur sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve bjellorusë për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale, por lanë jashtë tyre presidentin Alexander Lukashenko. “Nesër ne do të zbatojmë sanksionet dhe ju e dini që ajo që kemi në tryezë është një listë me rreth dyzet emra,” tha Presidenti i Këshillit të BE Charles Michel gjatë një konference shtypi në orët e para të mëngjesit të së Premtes.
Brukseli hodhi poshtë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit që i dhanë përparësi Lukashenkos – në pushtet për 26 vjet – me mbi 80% të votave dhe dënoi shtypjen e dhunshme të protestuesve paqësorë.
Shefat e bllokut thanë në atë kohë se ata do të “vendosnin me shpejtësi” masa kufizuese ndaj zyrtarëve të përfshirë në falsifikimin e rezultateve dhe shtypjen pasuese por ministrat e jashtëm nuk arritën të bien dakord mbi një listë sanksionesh muajin e kaluar për shkak të vetos nga Qipro. Ishulli mesdhetar dëshironte që blloku të merrte një qëndrim më të fortë kundër Turqisë rreth shpimit të saj në ujë.
Michel u tha gazetarëve se sanksionet e rëna dakord nga udhëheqësit janë “një sinjal i qartë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë atë që kishim vendosur disa javë më parë. Duhet të jetë konkrete.” Ai konfirmoi se Lukashenko – ndonjëherë i referohej diktatorit të fundit të Europës – “nuk është në listën aktuale, por natyrisht, ne do të ndjekim situatën. Ne do të ndjekim zhvillimet dhe ju e dini që ne jemi në favor të një dialogu gjithëpërfshirës mbi Bjellorusinë.” “Dhe ne përsërisim se njerëzit e Bjellorusisë kanë të drejtë të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Gjithashtu synimi ynë është të vazhdojmë të zhvillojmë përpjekje në mënyrë që të mbështesim vlerat e rëndësishme të tilla si liria e shtypit, liria e fjalës dhe shoqëria civile,” shtoi ai.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se ishte “shumë e lumtur që tani ka përfundimisht një rrugë përpara për sanksionet.” “Nuk do të ketë imunitet për ata që janë përgjegjës për shtypjen e demonstruesve dhe politikanëve të opozitës,” shtoi ajo.
Vetoja e Qipros në sanksionet Bjelloruse u kapërcye me udhëheqësit e BE duke rikonfirmuar “solidaritetin e tyre të plotë me Greqinë dhe Qipron, sovraniteti dhe të drejtat sovrane të të cilëve duhet të respektohen” dhe duke u zotuar të vendosë sanksione kundër Turqisë më së voni në Dhjetor nëse bisedimet me Ankaranë nuk japin rezultate. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.