Manual për tatimpaguesit/ Rastet kur biznesit i bëhet vlerësim tatimor, çfarë ndodh nëse kasa ka defekt?
Brenda afateve ligjore tatimpaguesit duhet të dorëzojnë deklaratën e plotë dhe të saktë tatimore dhe e paguajnë këtë tatim në afatin dhe vendin e përcaktuar në ligjin tatimor përkatës, pavarësisht nga shtyrja e afatit për dorëzimin e deklaratës tatimore.
Por në rastin kur tatimpaguesit nuk dorëzojnë në kohë dhe në formë të saktë deklaratën tatimore, atëherë i lind e drejta Administratës Tatimore të bëjë një vlerësim tatimor, ku parashikohen këto raste:
a) tatimpaguesi nuk dorëzon deklaratën tatimore, në përputhje me afatin dhe mënyrën e kërkuar në legjislacionin tatimor përkatës;
b) deklarata tatimore përmban të dhëna të pasakta ose të falsifikuara;
c) tatimpaguesi nuk mban ose ruan llogari apo regjistrime të sakta të transaksioneve;
ç) tatimpaguesi nuk bashkëpunon me kontrollin tatimor të autorizuar;
d) tatimpaguesi nuk vë në dispozicion informacionin e kërkuar dhe dokumente të tjera, të nevojshme, për llogaritjen e detyrimit të tij tatimor;
dh) tatimpaguesi hyn në transaksione me persona të lidhur jo në bazë të parimit të vlerës së tregut, ose hyn në transaksione pa efekte ekonomike thelbësore;
e) tatimpaguesi hyn në transaksione shitblerjeje me para në dorë, që tejkalojnë shumën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.
ë) tatimpaguesi nuk përdor rregullisht pajisjen fiskale.
Çfarë ndodh nëse kasa ka defekt? Çfarë është libri i mirëmbajtjes?
Në rast defekti, tatimpaguesi njofton Drejtorinë Rajonale Tatimore dhe shoqërinë e autorizuar.
Mosfunksionimi i përkohshëm i pajisjes fiskale duhet të pasqyrohet dhe të provohet në librin e mirëmbajtjes, ku tekniku i shoqërisë së autorizuar regjistron kohën kur pajisja është riparuar.
Në rastet e mosfunksionimit të përkohshëm të pajisjeve fiskale, tatimpaguesit janë të detyruar të përdorin dëftesën tatimore për çdo shitje me pakicë që realizojnë. Blloku me dëftesa tatimore
do të furnizohet nga drejtoritë rajonale tatimore dhe është me numër serial. Pas riparimit të pajisjes fiskale, tatimpaguesi fillon menjëherë përdorimin e saj. Gjatë mirëmbajtjes, teknikët e shoqërive të autorizuara mbajnë procesverbal, në dy kopje, ku pasqyrohen të dhënat rreth tatimpaguesit, i cili ka pasur ankesa për parregullsi të pajisjeve fiskale.
Procesverbalet i bashkëngjiten librit të mirëmbajtjes. Mirëmbajtja e pajisjes fiskale, përfshirë edhe mirëmbajtjen e memories fiskale, nuk duhet të zgjasë më shumë se dy ditë nga data e paraqitjes së ankesës për parregullsi. Nëse vula e pajisjes fiskale duhet të hiqet gjatë procesit të mirëmbajtjes, vula e re pas mirëmbajtjes vendoset në praninë e përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale Tatimore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.