Maqedoni, PDSH “në opozitë”, sërish nuk hyn në Qeveri
PDSH sërish do të mbetet parti opozitare, pasi që ajo nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo është konfirmuar pas takimit që kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi pati me kreun e Qeverisë, Zoran Zaev, raporton Agjencia e Lajmeve INA.
Në takimin Zaev – Thaçi u theksua rëndësia e reformave dhe nevoja gjeostrategjike e Maqedonisë për të qenë anëtare e plotë e NATO-s dhe për marrjen e datës për fillimin e negociatave.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ftoi PDSH-në të angazhohet në procesin e reformave me inkuadrimin e pikëpamjeve të tyre në proceset që do të vijojnë. Kryeministri Zaev dhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi u pajtuan se e gjithë ajo që është në interes të qytetarëve të Maqedonisë meriton mbështetje nga partia opozitare.
Në këtë drejtim Presidenti i PDSH-së Thaçi, njoftoi se partia e tij do të jetë opozitë konstruktive dhe do të mbështesë interesat e qytetarëve dhe proceset reformuese, në lidhje me integrimet euroatlantike, por në të njëjtën kohë do të jetë një zë i fuqishëm në pikëpamjet dhe kritikat e tyre ndaj politikave për të cilat partia do të konsiderojë se nuk zbatohen siç duhet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.