Maqedoni, Socialdemokratët paralajmërojnë formimin e Qeverisë brenda 10 ditëve
Një ditë pasi Zoran Zaev mori mandatin nga Presidenti Ivanov, në partinë e tij thonë se programi dhe kabineti qeveritar në afat prej dhjetë ditësh do të dorëzohen në Kuvend. Nga LSDM paralajmëruan se Zaev, ditët në vijim do të takojë Ali Ahmetin dhe kreun e LR PDSH-së Ziadin Selën, për të konkluduar bisedimet për Qeverinë e re.
“Nuk duam që të presim 20 ditë, ne duam që në dhjetë ditët e para t’i përfundojmë këto punë dhe proceset të fillojnë të ecin përpara. Kjo do të thotë se ditëve në vijim do të kemi bisedime dhe negociata serioze me partnerët e koalicionit, me qëllim që të kemi qeveri funksionale në interes të qytetarëve. Qytetarët mjaft pësuan prej veprimeve të VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit”– tha Stefan Bogoev, LSDM.
Pjesëmarrjen në Qeverinë e ardhshme Lëvizja Besa e kushtëzon me ndërrimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferit.
“Lëvizja Besa është duke i ndërtuar parimet për fillimin e negociatave për formimin e qeverisë së re. Gjithsesi se fjalën përfundimtare e ka Këshilli Qendrorë i Lëvizjes Besa, si organi më i lartë i këtij subjekti. Lëvizja Besa konstaton se sa më shpejt duhet të merren hapa konkrete për fillimin të një qeverie reformatore e cila do të jetë në dobi të qytetarëve të Maqedonisë”– deklaroi Faton Fazliu, Lëvizja “Besa”.
Nga Aleanca për Shqiptarët thanë se vendimin përfundimtar për pjesëmarrjen ose jo në Qeveri do ta marrë kryesia Qendrore e partisë, shkruan Alsat-M.
“Së shpejti do të kemi mbledhje të Kryesisë Qendrore, në ndërkohë pritet edhe kthimi i kryetarit Zijadin Sela nga trajtimi jashtë vendit. Për qasjen tonë do të vendoset në organet partiake. Gjithsesi javës që vjen do të ketë negociata. Akoma kemi konsultime të brendshme për të vendosur për gjithçka”, njoftuan nga Aleanca për shqiptarët.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi tha se pret nga Zaev që t’i dërgojë programin dhe përbërjen e kabinetit, me qëllim që ky të thërrasë mbledhjen e Kuvendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.