Maqedonia e Veriut rrit pagën mesatare – Shkon në 485 euro, Kovaçevski: Mbrohemi nga rritja e madhe e çmimeve
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të hënën të rrisë pagën mesatare në mbi 30.000 denarë, ose rreth 485 euro. Njoftimi është dhënë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit ky ishte një prej premtimeve më të rëndësishme të dhëna para qytetarëve në vitin 2017.
Kovaçevski u shpreh se: ‘Pak kush ka besuar se do të kemi pagë mesatare prej 30.000 denarë. Në kohën e krizës së madhe ekonomike e kuptojmë se sa i rëndësishëm është investimi në të ardhurat e qytetarëve dhe punëtorëve. Me rritjen e pagave mbrohemi nga rritja e madhe e çmimeve dhe e drejtojmë Buxhetin aty ku është më i nevojshëm. Ne po përballemi me një dimër të vështirë në të cilin do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të ulur goditjet e çmimeve. Dua t’ju siguroj se Qeveria është plotësisht e përkushtuar dhe e gatshme për gjithçka që ka përpara. Do të punojmë me përgjegjësi, përkushtim dhe efikasitet në interes të qytetarëve.’
Vendimi për rritjen e pagës mesatare u mor nga qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë ndryshimeve të buxhetit për vitin aktual. Sipas njoftimit zyrtar, ndryshimet synojnë uljen e shpenzimeve joproduktive në emër të solidaritetit me pasojat e krizës aktuale, si dhe do të sigurojnë mbrojtje më të madhe të standardit të jetesës, veçanërisht kategorive të cënueshme.
Gjithashtu, parashikohet mbështetje financiare në likuiditet për kompanitë dhe optimizim i kostove të huamarrjes, mbështetje të politikës monetare dhe krijim të kushteve më të favorshme për arritjen e normave të parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.