Mario tashmë ju tregon rrugën në Google Maps – Nintendo dhe Google bashkohen për ditën e Marios
Personazhi i dashur i videolojës klasike “SuperMario Bros”, hidrauliku italian Mario do të vijë edhe në Google Maps, falë një partneriteti mes Google dhe kompanisë së lojrjave Nintendo, me rastin e “Ditës së Marios”, më 10 Mars.
Mario do të jetë prezent në celularin tuaj duke filluar nga përditësimi i radhës i aplikacionit si për Android, ashtu edhe për iOS.
Pasi të përcaktoni destinacionin e dëshiruar ku doni të udhëtoni, në cepin e djathtë në fund të ekranit do të vini re një “?” pikëpyetje me ngjyrë të verdhë. Nëse e shtypni atë atëherë aplikacioni do t’ju pyes a doni të navigoni si Mario.
Prej këtej, në vend të shigjetës së Maps do t’ju shfaqet Mario, i cili bashkë me makinën e tij të kuqe go kart do të jetë shoqëruesi juaj për të gjithë udhëtimin.
Integrimi në platformë sipas Google do të qëndrojë për vetëm një javë, pra do të keni një kohë të kufizuar për ta shfrytëzuar.
Kjo nuk është hera e parë që Google argëtohet me Maps. Në të kaluarën ka qenë prezent në rrugët e Google Maps edhe loja Pac-Man, ku në vend të labirintit tradicional, lagjia juaj shndërrohej në lojën e famshme.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.