Marka luksoze Maserati zbulon planin tërësisht elektrik: Një GranTurismo i ri 1200 kuaj fuqi!
Marka luksoze e makinave Maserati planifikon të ofrojë versione elektrike të të gjithë linjës së saj deri në vitin 2025, duke filluar nga viti i ardhshëm me një EV të ri GranTurismo me më shumë se 1200 kuaj fuqi, tha kompania të enjten.
GranTurismo “Folgore” do të jetë automjeti i parë tërësisht elektrik për markën e famshme italiane, e cila është në pronësi të Stellantis, dikur Fiat Chrysler. Pritet të ketë një shpejtësi maksimale prej gati 190 mph dhe të arrijë 0-62 mph në më pak se tre sekonda, tha kompania.
Pas GranTurismo, Maserati do të prezantojë SUV-in e mesëm Grecale tërësisht elektrik dhe një makinë Grancabrio GT. Deri në vitin 2025, Maserati gjithashtu planifikon të shtojë versione elektrike të supermakinës së saj MC20, sedanit Quattroporte dhe SUV Levante.
CEO i Maserati, Davide Grasso, të enjten e përshkroi transformimin e automjeteve elektrike, duke përfshirë objektivin e tij për të dalë plotësisht elektrik deri në vitin 2030, si një “moment përcaktues” për prodhuesin më shumë se shekullor të automjeteve.
Pothuajse të gjithë prodhuesit kryesorë të automjeteve, veçanërisht ato luksoze si Maserati, kanë njoftuar planet që automjetet elektrike të përfaqësojnë shumicën, nëse jo të gjitha, të shitjeve të tyre deri në vitin 2030.
Pamjet paraprake të GranTurismo elektrike të lëshuara të enjten treguan një dizajn të jashtëm të lëmuar për coupe-në me katër vende. Maserati nuk publikoi çmimet e pritshme për EV-të e reja. Modelet e tij aktuale tradicionale variojnë nga rreth 78,000 dollarë në më shumë se 200,000 dollarë. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.