Marrëdhënia e shqiptarëve me punën! Mentalitet perëndimor apo lindor?
Nga Roel Korkuti/SCAN Magazine
Shqiptarët kanë pasur vazhdimisht një marrëdhënie disi të ndryshme nga fqinjët, me punën, e po ashtu, të ndryshme nga europianët, paçka se në këtë shkrim, do të kuptojmë se diku jemi edhe më europianë se vetë europianët.
Në anën tjetër, në marrëdhënien e drejtpërdrejtë me punën, si punën e paguar, atë me të cilën fitojmë bukën e përditshme, ashtu edhe në punën e papaguar, shqiptarët kanë një mentalitet krejtësisht lindor, dhe diametralisht të kundërt me mentalitetin europian, apo edhe ballkanas.
Këtë e vërtetojnë tashmë edhe shifrat, pa ia lënë në dorë vetëm klisheve të krijuara ndër vite barrën e rëndë të fajësuesit.
Norma e përqindjes së punës me kohë të pjesshme, apo part time nuk është aspak tregues i nivelit të zhvillimit të një ekonomie, apo shoqërie të caktuar. Për të vërtetuar këtë, mjafton të themi që Bullgaria është vendi me normën më të ulët, në 2.2% dhe Holanda, vendi me normën më të lartë, në 49.8%.
Të dhënat e Eurostat-it, në lidhje me punën e pjesshme janë përpunuar nga “ilsole24ore” dhe arrijnë në përfundimin se, në vendet ku, ky lloj punësimi është më pak i përhapur, nuk është për shkak zgjedhjeje, por për shkak se nuk kanë gjetur dot punë tjetër. Jo rastësisht, në vendet më të zhvilluara të Europës kjo normë është më e lartë, pasi këtu janë vetë njerëzit që zgjedhin ta kenë punën e tyre jo të plotë.
Kjo gjë duket qartë edhe nga harta, ku ngjyra e errët përfaqëson vendet, ku norma është më e lartë. Po në vendin tonë sa është kjo normë? Të dhënat më të fundit nga Banka Botërore tregojnë se në Shqipëri norma e punësimit part time fiksohet në 20% të totalit, që është edhe norma më e lartë në rajon. Duke parë hartën të ndarë si me thikë, mes perëndimit dhe lindjes së kontinentit, me një normë në 20%, Shqipëria duket sikur është gabimisht në krahun e lindjes.
Shqiptarët, të paktën në drejtim të qasjes ndaj punës, duket se janë më europianë se vetë europianët. Vendet e botës së zhvilluar, dhe këtu kemi parasysh kryesisht Europën, pjesën perëndimore të saj, dhe pjesën veriore, si shembullin ideal të perfektes, e kanë punën part time, të preferuar për shkjak të një zgjedhjeje të tyre personale. Pra, europianët e preferojnë në masë, për shkak se i kanë të atilla kushtet. Për ta, puna 8-orarëshe nuk është një detyrim, ndërsa ajo part time, një luks.
Për shqiptarët, ndërkohë, do të ishim naivë që të mendonim se është kjo arsyeja e përhapjes në masë të punës part time. Gjithsesi, duke mos dashur të aludojmë me arsyet e zgjedhjes, i qëndrojmë besnikë shifrave dhe shifrat janë të ftohta, e flasin qartë. Shqiptarët janë si europianët, të paktën në këtë drejtim.
Gjysma e të punësuarve e zgjedhin vetë orarin; rekord europian
Thuajse gjysma e shqiptarëve në marrëdhënie pune, e caktojnë vetë orarin e tyre të punës. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës tregojnë se, 48% e shqiptarëve të punësuar i zgjedhin vetë orët e tyre të punës, në krahasim me vendet e tjera të marra në analizë nga ILO. Asnjë tjetër nuk ka një normë kaq të lartë. Turqia është ndjekësi më i afërt, me një normë në vetëm 34%.
Të dhënat e publikuara nga ky raport janë marrë në formën e një sondazhi, çka i jep edhe më shumë besueshmëri këtyre të dhënave. Nga krahu tjetër, 45% e shqiptarëve në marrëdhënie pune duket se e kanë të pamundur të ndryshojnë orarin e tyre të punës, pasi vendoset nga punëdhënësi, pa opsion ndryshimi. Kjo normë nuk është më e ulëta, por gjithsesi e vendos Shqipërinë në kategorinë e vendeve më pak konservatore në këtë drejtim.
Pjesa e mbetur, ndërkohë, rreth 7%, deklarojnë se, orarin mund ta ndryshojnë me marrëveshje mes dy palëve. Në rang global, kjo është një ndër normat më të ulëta. Të dhënat e Organizatës Botërore të Punës tregojnë se, të paktën në këtë drejtim, punëmarrësi gëzon një avantazh të ndjeshëm nga punëdhënësi.
Paçka se, në tregun e punës në vend mund të ketë 1001 gjëra që nuk shkojnë si duhet, e sidomos në drejtim të respektimit të kodit të punës, kur bëhet fjalë për orët e punës, shqiptarët i largohen sërish Europës dhe perëndimit, duke iu drejtuar nxitimthi lindjes. Me pak fjalë, bëhen vetë shefa.
270 minuta në ditë punë shtëpie për femrat, vetëm 45 për meshkujt
“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë”! Poezia me titull “Fshati im” i Andon Zako Çajupit, e shkruar mbi 100 vite më parë është aktuale edhe sot në Shqipëri. Një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, thekson se femrat shqiptare kryejnë 314 minuta në ditë punë, të papaguar, nga të cilat, 270 minuta janë punë shtëpiake. Kjo bën që shqiptaret të jenë në vendin e 5-të në botë, përsa sa i përket punës së papaguar. 270 minuta dedikuar vetëm për punët e shtëpisë përkthehen në plot 4 orë e gjysmë në ditë.
Duke parë listën rezulton se, vendet e lindjes dhe sidomos vendet muslimane janë ato që zënë vendet e para të renditjes në këtë drejtim. Situata përmbyset tërësisht kur bëhet fjalë për burrat. Këta të fundit shpenzojnë më pak se 1 orë në ditë për punë të papaguar, dhe nga këto vetëm 45 minuta në ditë për punë shtëpiake. Siç duket qartë edhe nga ilustrimi grafik i Organizatës së Punës, kjo gjë e vendos Shqipërinë ndër vendet e fundit në listë, sa i përket dembelizmit të burrave shqiptarë në drejtim të punëve të shtëpisë. Me rajonin, ndërkohë nuk ka krahasim; femrat janë ato që i dedikojnë më shumë kohë punëve të shtëpisë dhe meshkujt ata që i dedikojnë më pak kohë. Femrat shqiptare bëjnë punë shtëpie 6 herë më shumë se meshkujt në kohëzgjatje, dhe një diferencë të tillë nuk e ka asnjë vend i botës.
Puna e papaguar në Shqipëri, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, përkthehet në 8.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit të shprehur në fuqi blerëse, dhe nga këto, 7.2% u takojnë femrave. Gjithsesi, kjo është ndër përqindjet më të ulëta, në nivel global. Kjo e dhënë është, ndoshta, simboli i asaj që karakterizon shqiptarët, në marrëdhënien që kanë me punën, duke treguar qartë se nga anojmë, Lindje apo Perëndim. Në këtë rast është edhe e thjeshtë të arrijmë në përfundime. Të dhënat flasin qartë: Nuk ka rast të ngjashëm me shqiptarët, në Europë, e më gjerë. Burrat punojnë 6 herë më pak se gratë, në punë shtëpie, a thua se ora ka ndalur, dhe shekujt kanë mbetur në vend.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.