Marrëdhëniet ekonomike me Maqedoninë – Bushati: Shembull për klimën e biznesit dhe investimet e huaja
Suksesi i Maqedonisë për klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja do të ndihmojë edhe Shqipërinë, pasi vendet janë angazhuar në intensifikimin e marrëdhënieve mes tyre.
Deklarata është bërë nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i pyetur nga TV SCAN në lidhje me hapat që do të ndiqen për forcimin e diplomacisë ekonomike mes 2 vendeve.
Ministri priti homologun maqedonas në një takim 2 palësh, ndërsa theksoi se potenciali ekonomik është pak i shfrytëzuar për shkak të problemeve në infrastrukturë.
“Për sa i përket diplomacisë ekonomike, formulat janë pak a shumë të ngjashme në lidhje me mënyrën se si shërbimi i jashtëm, por jo vetëm, edhe agjenci të tjera shtetërore mund të bëhen promotorë të zhvillimit të vendit. Potenciali i zhvillimit tregtar është pak i shfrytëzuar edhe për shkak të vështirësive që ne kemi në infrastrukturë dhe mungesës së vëmendjes së partnerëve europianë. Mendojmë që një klimë e re politike do t’i shërbente më mirë shfrytëzimit të këtij potenciali. Nga ana tjetër besoj se ne kemi se çfarë të mësojmë nga Maqedonia, kur i referohemi gjithmonë suksesit të Maqedonisë që kanë të bëjnë me disa indikatorë me klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme.
Sipas Bushatit, gjatë takimit të sotëm u ra dakord për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, pasi zhvillimi tregtar është larg potencialit.
“Ramë dakord për një dialog më të ripërtërirë e më intensive mes dy vendeve tona në dobi të një shkalle më të lartë bashkëpunimi, në interes të drejtpërdrejtë të zhvillimit ekonomik, të marrëdhënieve ekonomike dhe të rrugës sonë të përbashkët euroatlantike. Dëshirojmë dhe është në ambicien e dy vendeve tona që të kemi një projektim më të mirë ekonomik e tregtar, duke rënë dakord që sot për sot shkëmbimi tregtar dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona është larg potencialit. Prurjet turistike nga Maqedonia nga viti në vit janë mbresëlënëse. Kjo do të thotë që ne do të promovojmë turizmin tonë për shtetasit maqedonas që dëshirojnë të vizitojnë brigjet tona dhe jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë”, tha Bushati.
Ministrat e dy vendeve njoftuan dhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, e cila pritet të zhvillohet në qytetin e Pogradecit, në muajin tetor. Fokusi i kësaj mbledhjeje do të jetë përcaktimi i prioriteteve ndaj projekteve strategjike, me qëllim sigurimin e fondeve evropiane.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.