Marrëveshja “Bayer-Monsanto” – Oferta prej $62.5 mld merr miratimin e BE, nuk cenon konkurrencën
Konglomerati gjerman, Bayer, ka fituar miratimin nga Bashkimi Europian për blerjen prej 62.5 miliardë dollarë të firmës homologe në SHBA, Monsanto, një shkrirje që do të ndryshojë industrinë e kimikateve.
Ky bashkim pritet të formojë një kompani që kontrollon më shumë se 25% të tregut të farave dhe pesticideve në të gjithë botën. Disa faktorë, përfshirë motin dhe konkurrencën nga eksportuesit e grurit , kanë sjellë një valë të konsolidimit në këtë sektor, përfshirë blerjen e Dupont nga Dow, dhe Syngenta nga ChemChina.
Grupet e mbrojtjes së mjedisit dhe ato bujqësorë kanë kundërshtuar të tre marrëveshjet, me shqetësimin e avantazhit teknologjik që do të kenë këto kompani. Komisioni Europian deklaroi se Bayer i ka trajtuar kushtet e caktuara, duke ofruar shitjen e aktiveve ndaj rivalit BASF.
“Vendimi ynë siguron se do të ketë konkurrencë dhe inovacion në tregjet e farave, pesticideve dhe bujqësisë dixhitale pas kësaj shkrirjeje. Lojtarët globale do të vazhdojnë të konkurrojnë në mënyrë aktive në këto tregje”, deklaroi Komisionerja e konkurrencës Margrethe Vestager.
Bayer ka arritur një marrëveshje për të shitur aktive prej 5.9 miliardë euro ndaj firmës gjermane BASF. Marrëveshja Bayer Monsanto ka marrë miratim me kusht nga Kina, Brazili dhe po rishikohet nga autoritetet e konkurrencës në SHBA dhe Rusi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.