Marrëveshja Brexit – Hammond: Opsioni më i mirë për të mbrojtur ekonominë e vendit
Vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian është zgjidhja më e mirë për të mbrojtur ekonominë dhe për të filluar ribashkimin e një vendi të ndarë, tha ministri britanik i Financave, Philip Hammond të shtunën.
“Kjo marrëveshje është një mënyrë që Britania të largohet nga Bashkimi Europian me një ndikim minimal negativ në ekonominë tonë”, tha Hammond për BBC.
Kryeministrja, Theresa May, pritet të takojë krerët e BE-së të dielën në Bruksel për të nënshkruar marrëveshjen e Brexit, edhe pse kundërshtimet nga Spanja mbi Gjibraltarin mund të bëhen një pengesë.
Ndërkohë, ai shtoi më tej se nëse Britania largohet nga BE pa marrëveshje, pasojat për ekonominë do të ishin shumë serioze dhe negative për vendet e punës por edhe për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, qëndrimi në BE pas një vendimi të qartë të referendumit për të lënë bllokun do të ishte krejtësisht ‘i dobët’, pasi do të minonte besimin në sistemin politik dhe do të zhgënjente një numër të madh njerëzish.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.