Marrëveshja me bankat greke – Dobank do të menaxhojë 1.8 mld euro kredi jo-performuese
Dobank ka arritur marrëveshjen me 4 bankat më të mëdha greke për të administruar 1.8 miliardë euro kredi jo-performuese. Katër bankat në fjalë janë: Alpha Bank, NBG, Eurobank dhe Banka e Pireut.
1.8 miliardë eurot në formë kredish jo-performuese i takojnë rreth 300 debitorëve vendas, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme.
Dobank, dega helene do të ketë kështu për kompetencë edhe procesin e administrimit, prezantimit të strategjive efikase si dhe ristrukturimin apo likuidimin e këtyre kompanive, në mënyrë që të sjellë sa më pak humbje për 4 bankat në fjalë, debitorët e të cilave tashmë e kanë të pamundur të paguajnë mbrapsht borxhet.
Finalizimi i kësaj marrëveshje shënon përfundimin e një procesi tejmase konkurrues, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se 30 kompani të specializuara në shërbimin e menaxhimit të borxhit. Në Greqi numërohen rreth 90 miliardë euro kredi jo-performuese çka do të thotë se, ky lloj tregu në vend ka një potencial të jashtëzakonshëm rritjeje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.