Marrëveshja Rama-Basha – Opozita merr Zv.kryeministrin, 6 Ministri dhe 5 Drejtori
Zgjedhjet e Përgjithshme do të zhvillohen më 25 Qershor 2017. Kjo është pika e parë me të cilën nis marrëveshja midis Kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Marrëveshja, në fjalë detajon mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor, me qëllim që ai të jetë transparent si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë në të njëjtën datë me zgjedhjet e përgjithshme.
Në draftin zyrtar të marrëveshjes bëhet me dije se Rama i ka ofruar opozitës, postin teknik të zv.kryeministrit, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Arsimit, Ministrin e Shëndetësisë, Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrin e Financave dhe Ministri i Drejtësisë.
Po ashtu i ka ofruar edhe 5 drejtori kyçe, si drejtorin e OSHEE, Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave, Drejtorin e Përgjithshem të Burgjeve dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.
Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu që votimi i anëtareve të Këshillit të Ministrave, anëtareve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në të, të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, e cila nuk është caktuar ende se kur do të jetë.
Sa i përket organeve të pavarura, opozita merr Kryetarin e KQZ dhe Avokatin e Popullit. Disa reforma të rëndësishme si ajo zgjedhore dhe kushtetuese janë parashikuar të votohen në legjislaturën e re.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.