Marrëveshja tregtare Japoni-BE – Hiqen tarifat për makinat japoneze, vjen në kundërpërgjigje ndaj Trump
Japonia dhe Bashkimi Europian kanë nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë këtë javë, në kundërpërgjigje ndaj veprimeve proteksioniste të ndërmarra nga presidenti amerikan Donald Trump.
Pakti tregtar, që do të krijojë zonën ekonomike të hapur më të madhe në botë, vjen gjatë një kohe të përplasjeve tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. “Ekzistojnë shqetësime për proteksionizmin, por besoj se Japonia dhe Bashkimi Europian do të drejtojnë botën duke mbajtur flamurin e tregtisë së lirë”, tha Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Marrëveshja përbën gjithashtu një shenjë të zhvendosjes së lidhjeve tregtare, ndërkohë që Trump po distancon SHBA nga aleatë të vjetër si BE, NATO dhe Kanadaja.
“Po dërgojnë një mesazh të qartë që jemi kundër proteksionizmit. BE dhe Japonia qëndrojnë të hapura për bashkëpunim”, tha presidenti i Këshillit, Donald Tusk.
Dakordësia do të heqë tarifat prej 10% të Bashkimit Europian mbi makinat japoneze dhe 3% për pjesët e automjeteve. Nga ana tjetër, kjo do të heqë tarifat prej 30% për djathin europian dhe 15% për verën, si dhe do të sigurojë akses në tenderat e mëdha publik në Japoni. Sektori i ushqimit në Europës është një nga fituesit më të mëdhenj nga marrëveshja, pasi do të ketë mundësi të shfrytëzojë kërkesën e madhe nga Japonia.
Makinat japoneze dhe prodhuesit e pjesëve pritet të rrisin gjithashtu shitjet në Europë, treg ku kanë mbetur pas markave rivale. Japonia dhe Bashkimi Europian përbëjnë thuajse 1/3-ën e Produktit të Brendshëm Bruto të botës. Zyrtarët europian presin që marrëveshja të rrisë ekonominë e Bashkimit Europian me 0.8% dhe Japonisë me 0.3% në afat-gjatë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.