Marrëveshja tregtare pas Brexit – BE bie dakord për mandatin e negociatave. Franca dhe Irlanda, në sulm!
Franca dhe Irlanda u kthyen në ofensivë mbi detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar në marrëveshjen tregtare pas Brexit, duke i dhënë vrull luftës me fjalë që rrezikon të pengojë nisjen e negociatave me Bashkimin Europian javën e ardhshme. Përfaqësuesit nga Parisi dhe Dublini në Bruskel paralajmëruan Kryeministrin Boris Johnson se Europa nuk do të përulet mbi kërkesat thelbësore, përfshirë respektimin e rregullave të BE.
“Mandati është mbrojtja e interesave të europianëve”, tha ministrja franceze për Europën, Ameile de Montchalin, që këmbënguli se Brukseli nuk do të bjerë dakord për asgjë nëse nuk sigurohet konkurrenca e drejtë. Për Irlandën, është njësoj e rëndësishme që Johnson të mbajë premtimet që bëri në marrëveshjen e divorcit, për të parandaluar rikthimin e kontrolleve doganore në kufirin me Irlandën. “Nëse nuk ka progres në infrastrukturën ku do zbatohet protokolli irlandez në marrëveshjen e divorcit, atëherë nuk mendoj se do ketë marrëveshje deri në fund të vitit”, tha Minisitri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney.
Pasi 27 vendet anëtare përshtatin zyrtarisht mandatin e tyre, Britania pritet të prezantojë të vetin më vonë gjatë Javës, përpara se të nisin negociatat të Hënën e ardhshme.
Të dy palët kanë kohë deri në fund të vitit për të arritur një marrëveshje, përndryshe, Britania do të duhet të tregtojë me Europën sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Boris Johnson ka thënë se preferon të largohet nga marrëveshja se sa të luajë sipas rregullave të Bashkimit Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.