Marrëveshje dypalëshe mes DPSHTRR dhe Postës Shqiptare – Shërbimi Postar Ekspres më cilësor dhe i shpejtë
Posta Shqiptare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kanë njoftuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh për Shërbimin Postar Ekspres, brenda dhe jashtë vendit.
Sipas njoftimit me anë të kësaj marrëveshje, Posta Shqiptare merr përsipër kryerjen e plotë të Shërbimit Postar Ekspres sipas nevojave të DPSHTRR dhe qytetarëve. Dërgesat ekspres do të dorëzohen për një afat kohor 24 orë në drejtoritë rajonale të largëta si në Dibër apo Sarandë (nga mbi 1 javë koha e dërgimit, në 1 ditë), pa dëmtime, me ambalazh dhe sipas kushteve të sigurisë maksimale, shkruhet në publikimin e përbashkët.
Gjithashtu, Posta Shqiptare bën me dije se do të ofrojë shërbimin në adresë, shtëpi apo biznes dhe se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje rritet bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Postës Shqiptare dhe DPSHTRR, me efekt direkt mbi shërbimet publike ndaj qytetarëve.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.