Marrëveshje e re e FMN – Shtetet anëtare bien dakord që të mos zhvlerësojnë monedhat
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi së fundmi se, vendet anëtare të saj janë dakordësuar të tërhiqen nga zhvlerësimet e qëllimshme të monedhave për t`u bërë më të konkurrueshëm në tregjet e huaja, si dhe për të nxitur më tej dialogun dhe marrëdhëniet tregtare. Ky angazhim vjen në një kohë që, lufta tregtare në nivel global është përshkallëzuar ndjeshëm, dhe në një kohë që rritja e kostove të huamarrjes kërcënon të godasë rritjen ekonomike globale.
Marrëveshja mes vendeve anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar erdhi ndërkohë që Sekretari Amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin ngrinte shqetësimet e qeverisë së tij sa i përket zhvlerësimit të yuanit kinez kundrejt dollarit, një lëvizje që sipas tij është e qëllimshme, për t`i bërë eksportet kineze më të lira, si dhe për të zbehur tarifat që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj importeve kineze.
Ndër të tjera, vendet anëtare të fondit ranë dakord që të rrisin kompetencat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe ta riogranizojnë atë, në mënyrë që të jetë më efikase për të zgjidhur përplasjet tregtare mes vendeve anëtare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.