Marrëveshje Shqipëri-Turqi për aviacionin civil – Mbështetje për rilindjen e Shkollës së Aviacionit
Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar dhe ai Turk nënshkruan të enjten një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin dhe shkëmbimin e ekspertizës në këtë fushë.
Mbështetja do të fokusohet në veçanti në dy drejtime të rëndësishme, atë të ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe krijimin e kompanisë së përbashkët ajrore “Air Albania”, të dyja këto projekte madhore që po realizohen me mbështetjen e kompanive turke.
Drejtori i AAC, Krislen Keri theksoi se falë mbështetjes dhe vëmendjes së madhe që qeveria po i kushton aviacionit, do të ketë zhvillime pozitive në këtë industri me impakt të lartë në turizëm dhe ekonominë e vendit.
Nga ana e tij, Zv. Drejtori i Përgjithshëm turk Haydar Balçin u shpreh se Aviacioni Civil Turk është i gatshëm të asistojë me eksperiencën e gjatë autoritetin shqiptar për plotësimin e nevojave teknike.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje pala shqiptare synon të rrisë kapacitetin teknik institucional, me qëllim përballimin me sukses së aktivitetit të shtuar aeronautik, veçanërisht në drejtim të mbikëqyrjes së operatoreve ajrorë, mbikëqyrjes Aeroportuale dhe mbikëqyrjes së sigurisë në aviacion.
Një tjetër fushë bashkëpunimi do të jetë pjesa e trajnimeve dhe edukimit në aviacionin civil, ku Turqia e ofron këtë shërbim në rreth 50 institucione të specializuara. Zv. Drejtori përgjegjës për aeroportet në Turqi, z. Erel shprehu gatishmërinë për të koordinuar përpjekjet e autoriteteve shqiptare për rilindjen e edukimit për të rinjtë shqiptarë në fushën e aviacionit civil, edukim ky që nuk ofrohet më në vendin tonë që prej mbylljes së Shkollës së Aviacionit në Vlorë.
A.H./SCAN
Aeroporti i Vlorës, projektligji në Kuvend! Relacioni: Tarifa më të ulëta se Rinasi! Negociatat, synim ndikimin sa më minimal në buxhet
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.