Marrëveshjet lehtësuese mes dy vendeve – Nga reduktimi i barrierave për bizneset, tek lejeqendrimet dhe projekti hekurudhor
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë nënshktuar 15 marrëveshje të përbashkëta të cilat hapin “dritën jeshile” në disa fusha, mungesa e të cilave deri më tani ka krijuar barriera për qytetarët e të dy vendeve. Kështu, është nënshkruar marrëveshja për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dy shteteve si dhe ajo për njohjen e sigurimeve shoqërore, të cilat do të shkurtojnë burokracitë për shtetasit shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë apo punojnë në Kosovë dhe e anasjellta.
Gjithashtu është firmosur marrësveshja për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit si dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash). Marrveshje me rëndësi dhe ndikim tek bizneset është ajo për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave si dhe Manuali i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit; Manuali për procedurat standarde te operimit ne piken e përbashket te kalimit kufitar (PPKK) Morine-Vermice; dhe marrëveshja dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut.
Qeveritë e të dy vendeve kanë vendosur gjithashtu studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë si dhe kanë nënshkruar bashkëpunimin “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në çështjet civile dhe tregtare” . Po ashtu, është përcaktuar Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022; bashkëpunimi në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK.; Protokoll Bashkëpunimi për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar; Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH dhe Agjencisë Shtetëror të Arkivave të Republikës së Kosovës.
Qeveritë kanë vendosur të bashkëpunojnë në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale si dhe në fushën e arsimit është nënshkruar marrëveshja dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (te konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave).
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.