Marrëveshjet me Malin e Zi: Pika të reja doganore – Markoviç: Infrastruktura, prioritare për zhvillimin e ekonomive
Në vijim të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ministrat e dy kabineteve nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Ndër to përfshihen marrëveshje për bashkëpunime në kulturë, siguri, luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, si dhe transportin, bizneset e turizmin.
Dy shtetet nënshkruan për hapjen e një pike kufitare, si dhe hartuan plane për hapjen e dy pikave të tjera në kufirin përgjatë dy shteteve.
“Na vjen shumë mirë që sot kemi nënshkruar dhe marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët kalimtare kufitare në Zogaj, si për transportin rrugor, ashtu edhe për transportin ujor. Shpresojmë shumë që kjo pikë e shumëkërkuar prej vitesh do të jetë një burim më shumë i komunikimit, ndërveprimit, i tregtisë dhe patjetër i zhvillimit të mëtejshëm të turizmit. Në këtë frymë do të materializojmë së shpejti edhe hapjen e një pike tjetër të kalimit kufitar Pulaj-Shën Nikolla, pranë Adriatikut, që do të realizohet me plotësimin e të gjitha kushteve teknike, si dhe për vënien në funksionim të pikës kalimtare kufitare Grabonë-Zadriebacka Cievna”, u shpreh Rama.
Kryeministri malazez Dusko Markovic u shpreh se investimet e përbashkëta që do të realizohen në infrastrukturë do të mundësojnë zhvillimin e potencialeve ekonomike të dy vendeve.
“Raportet tona shoqërore duhet të kurorëzohen me një bashkëpunim shumë më të mirë ekonomik. Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende në zhvillim e së bashku me Kosovën kemi rritjen më të shpejtë ekonomike. Vendet tona kanë potenciale të ndryshme zhvillimi: turizmin, energjetikën, bujqësinë, por këto potenciale të kthehen në favor të ekonomive tona në mënyrë që të krijojmë vende të reja pune dhe të mbajmë të rinjë në vendet tona; ne duhet të investojnë në infrastrukturën tonë.
Ne sot kemi folur se si Mali i Zi dhe Shqipëria të lidhen më mirë me infrastrukturë, se si qytetarët tanë të kalojnë sa më shpejt kufijtë, se si bizneset të mos humbasin kohë në pikat kufitare dhe paratë që humbasin në këto procedura të zhvillohen në biznese të reja dhe mundësi të reja. Unë jam i besimit që marrëveshjet që kemi besuar do t’i nxisin objektivat tona”, u shpreh Markoviç.
Një nga projektet e infrastrukturës është edhe autostrada Adriatiko-Joniane, e cila sipas Ramës do të lidhë përfundimisht me unazën turistike të Mesdheut, edhe jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.