“Marshojnë” tregjet, FED shtyn europianet pranë rekordit 15-mujor
Gjasat e larta për një ndërhyrje të Rezervës Federale në politikat monetare gjatë këtij muaji, kanë nxitur tregjet europiane të prekin nivelet më të larta të 15 muajve të fundit, si dhe forcimin e dollarit amerikan kundrejt monedhës së përbashkët europiane.
Gjatë javës, një prej anëtarëve të bordit të Rezervës Federale sinjalizoi ndërhyrjen. Gjasat që kjo të ndodhë, projektojnë tregjet, fiksohen në 70%.
Pavarësisht se, rritja e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkthehet në rritje të kostove për kompanitë vendase, një politikë e tillë sinjalizon gjithashtu besim te ekonomia, çka justifikon edhe entuziazmin e tregjeve dhe investitorëve.
Janet Yellen ndërkohë pritet të flasë për projeksionet e reja ekonomike këtë të Premte. Indeksi pan europian ndërkohë, pavarësisht një rënie të lehtë gjatë së Enjtes, mbetet pranë nivelit më të lartë që prej fundit të vitit 2015.
Indeksi i dollarit amerikan nga ana tjetër ka prekur nivelin më të lartë të 7 javëve të fundit. Edhe plani i Donald Trump për investime rreth 1 trilionë dollarë në ekonominë e vendit, që është edhe më e madhja në Botë i ka dhënë një shtysë marshimit të tregjeve dhe dollarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.