Masa për sezonin turistik – Nis procesi i dezinsektimit në Divjakë
Ka nisur procesi i dezinsektimit në zonat turistike dhe ato urbane për vitin 2018.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ekspertët e shëndetit publik nisi nga Divjaka këtë proces, i cili është në vitin e pestë të tij. Sipas ekspertëve entomologë, është me rëndësi të madhe fillimi i procesit të dezinsektimit në këtë periudhë.
“Ky proces ka një rëndësi kombëtare duke qenë se mushkonjat përbëjnë faktorët më të rëndësishëm në transmetimin e sëmundjeve infektive përpos faktit që janë ndër insektet më shqetësuese. Nisja e procesit të dezinsektimit në fillim të sezonit është i një rëndësie të veçante sepse kap fazat e para larvare që kanë çelur si rezultat i vezëve dimërore. Sa më shpejt që të nisë procesi aq më shumë rezultate do kemi”, shprehet eksperti entomolog Elton Rogozi.
Procesi i dezinsektimit u parapri nga monitorimi entomologjik për praninë e vatrave të rritjes së larvave të mushkonjave në zonën e pyllit, plazhit dhe në zonën urbane të Divjakës. Aktualisht specialistët e shëndetit publik kanë nisur procesin e monitorimit që i paraprin atij të dezinsektimit nga Butrinti dhe zonat përreth, duke vazhduar me zonat bregdetare deri në Velipojë, duke përfshirë edhe zonat urbane.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.