Masat e BSH – Ja si synohen të rriten kostot për euron
Banka e Shqipërisë miratoi javën e kaluar masat e para në kuadër të platformës që synon ulë euroizimin e sistemit financiar shqiptar. Masa e parë e drejtpërdrejtë ishte rritja e rezervës së detyrueshme në valutë dhe ulja e saj në lekë. Rezerva e detyrueshme është përqindja e depozitave që çdo bankë duhet ta mbajë të papërdorur, në një llogari pranë bankës qendrore. Nga 10% që është aktualisht, për depozitat në euro ky prag do të rritet në 12.5%.
Mbajtja e bllokuar e më shumë depozitave do të sjellë më shumë kosto për bankat, kjo edhe duke pasur parasysh normat negative të interesit që aplikohen për rezervën e detyrueshme në euro. Aktualisht, kjo normë është -0.4%. Kjo do të thotë se bankat duhet të paguajnë 0.4% interes në vit për fondet e rezervës së detyrueshme. Kjo do të bëjë që bankat të kenë më shumë kosto nga depozitat në euro, duke i bërë ato, në teori më pak të interesuara, për të rritur depozitat në valutën europiane.
Konkretisht, në fund të vitit 2017 bankat mbanin rreth 3.7 miliardë euro depozita. Nga këto, afërsisht 370 milionë euro duhet të ngurtësoheshin në rezervën e detyrueshme. Me rregulloren, shuma e depozitave të bllokuara rritet në mbi 460 milionë euro, për të cilat do të paguhet një interes vjetor 0.4%. Paralelisht, rezerva e detyrueshme do të ulet për lekun, në 7.5% të totalit të depozitave. Kjo do të thotë që bankave do t’u kërkohen më pak fonde të ngurtësuara në lekë, për t’i bërë ato më të interesuara të rrisin depozitat në monedhën kombëtare.
Për hir të së vërtetës, normat e interesit për depozitat në euro që tani janë në nivele shumë të ulëta, megjithatë një lëvizje e tillë mund të bëjë që bankat t’i ulin ato më tej, madje ndoshta edhe të refuzojnë pranimin e depozitave pa afat ose të llogarive rrjedhëse në euro. Një lëvizje tjetër do të ishte rritja e marzheve për kreditimin në euro, me qëllim kompensimin e kostove shtesë nga masat e Bankës së Shqipërisë. Edhe kjo lëvizje shkon në kahun e synuar nga Banka Qendrore, që po tenton të frenojë euroizimin në bilancet e bankave, si nga krahu i aktiveve, ashtu edhe nga ai detyrimeve.
Nga ana tjetër, ulja e rezervës së detyrueshme në lekë në teori do të ketë efektin e kundërt: bankat mund të nxiten të ulin marzhet e ndërmjetësimit në monedhën kombëtare, qoftë duke rritur interesat e depozitave, qoftë duke ulur interesat e kredive.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.