Masat e SHBA përballë COVID-19/ Senati miraton paketën e stimulimit prej 2 trilion dollarë
Drejtuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit arritën një marrëveshje herët të Mërkurën në mëngjes në një paketë masive stimuluese për të cilën shpresojnë se do ta mbajnë vendin të mos bjerë në një recesion të thellë për shkak të krizës së Koronavirusit.
Propozimi i rishikuar i Senatit do të injektojë afërsisht 2 trilion dollarë në ekonomi, duke siguruar zbritje të taksave, katër muaj përfitime të zgjeruara të papunësisë dhe një varg dispozitash për lehtësimin e taksave të biznesit që synojnë rruajtjen e financave individuale, familjare dhe të biznesit.
Marrëveshja përfshin 500 miliardë dollarë për një program të madh të likuiditetit të korporatave përmes Rezervës Federale, 367 miliardë dollarë për një program kredie për biznes të vogël, 100 miliardë dollarë për spitalet dhe 150 miliardë dollarë për qeveritë shtetërore dhe lokale.
Ai gjithashtu do të japë një çek të njëhershëm prej 1,200 dollarë për amerikanët që marrin deri në 75,000 dollarë në vit. Individët me aspak ose pak detyrim tatimor do të merrnin të njëjtën shumë, ndryshe nga propozimi fillestar i GOP që do t’u jepte atyre një minimum prej 600 dollarë.
Marrëveshja ishte fryt i pesë ditë bisedimesh intensive që filluan të Premten në mëngjes kur Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell mblodhi kolegë republikanë dhe demokratë, me bisedime që shtriheshin vonë në mbrëmje në secilën nga katër ditët në vijim. (thehill)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.