Masat shtrënguese varfërojnë grekët – Greqia rishikohet në recesion në 2016-ën, prej konsumit privat
Greqia ra përsëri në recesion vitin e kaluar, duke shkaktuar konfuzion te kreditorët ndërkombëtarë që projektonin një rritje të ekonomisë, pas viteve të programit të shpëtimit dhe masave shtrënguese në buxhet. Ekonomia u tkurr me 0.2% në vitin 2016, raporton agjencia e statistikave ELSTAT, duke publikuar vlerësimin e rishikuar të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin e plotë.
Vlerësimi i ELSTAT u bazua në vlerësime më të ulëta të konsumit privat, duke treguar se papunësia, që qëndron në nivelin më të lartë në të gjithë Eurozonën, po frenon rimëkëmbjen e vendit.
Produkti i Brendshëm Bruto në volum, i matur në çmime konstante, rezultoi në 175.9 miliardë euro vitin e kaluar, në rënie nga 178.1 miliardë që ishte në 2015-ën. Konsumi privat ra me një normë vjetore prej 0.3%, krahasuar me 0.6% rritje të vlerësuar fillimisht nga agjencia në muajin Mars.
Vitet e masave shtrënguese, të vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe huadhënësit e Eurozonës në këmbim për programin e ndihmës, kanë varfëruar grekët dhe tkurrur konsumin. Komisioni Europian projektoi një rritje prej 0.3% të Produktit të Brendshëm Bruto për 2016-ën ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi vlerësimin në 0.4% për vitin.
Ekspertët e vendit thonë se ekonomia do të rritet me rreth 1.5% në vitin aktual dhe në 2% për 2018-ën. Qeveria ndërkohë, ka dhënë një parashikim për 1.8% këtë vit, duke e ulur nga 2.7% që vlerësonte më parë.
Rimëkëmbja ekonomike do të jetë thelbësore në uljen e normës së papunësisë prej 21% dhe për të arritur një suficit primar në buxhet prej 1.75% këtë vit, që kërkohet edhe nga kreditorët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.