Mashtrim kompjuterik përmes Facebook – Policia arreston 9 shtetas dhe sekuestron 10 aparate celulare e 3 pajisje elektronike
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, nga Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas gati një viti hetimesh proaktive, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacionin policor i koduar “TRANSFERTA”.
Sipas njoftimit në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike” si dhe gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”
Policia bën me dije se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.
Gjithashtu në njoftim thuhet se gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqje) që faktojnë aktivitetin kriminal.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.