Mashtrime me certifikatat – SHÇBA procedon një punonjës policie
Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), së bashku me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA në qytetin e Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, njoftuan goditjen e një skemë mashtrimi ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie nga DVP Shkodër, që merrnin shërbime ndaj të tretëve.
Sipas njoftimit, pas hetimeve disamujore, u zbulua se disa shtetas që aplikonin për përfitimin e Certifikatave si punonjës të shërbimit të SHPSF-ve, dyshohet se janë pajisur me dokumente të falsifikuara duke anashkaluar procedurat verifikuese e trajnuese të detyrueshme, si Akademia e Sigurisë, Shoqëritë Private të Sigurisë të licencuara për trajnime, si dhe Komisionin e Certifikimet në DVP Shkodër.
SHÇBA tha se në vijim të procedimit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” (për arsye shëndetësore), ndaj punonjësit të Policisë Nën komisar V.N., me detyrë Specialist për Shërbimin ndaj të Tretëve, në DVP Shkodër.
SHÇBA, së bashku me Prokurorinë kanë njoftuar vijimin e hetimeve ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë skemë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre. Gjithashtu sipas njoftimit po hetohet edhe ndaj shtetasve të tjerë të implikuar në të njëjtën skemë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre si dhe ndaj shtetasve që kanë përfituar certifikata në kundërshtim me ligjin për ushtrimin e këtij profesioni në subjektet e SHPSF.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.