Mashtrimet me ndihmat e tërmetit/ Policia arreston në flagrancë një tjetër shtetas
Situata e krijuar si pasojë e tërmetit është bërë shkas për shumë abuzues që ta përdorin për qëllime personale. Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale A.M, 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ky i fundit i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 13.000 lekësh, shtetasit me iniciale N.F, banues në Durrës, duke pretenduar se i duheshin për të blerë ndihma ushqimore për këtë situatë.
“Policia e Durrësit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë, e jetës dhe të pronës dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast abuziv apo çdo tentativë për vjedhje prone duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm” shkruan Policia e Shtetit në njoftimin e bërë.
Gjithashtu, policia njofton se ka shtuat prezencën policore me uniformë dhe civile në zonat e prekura nga tërmeti, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive dhe mashtrimeve.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.