Maternitet i ri në Lezhë – Manastirliu: Investimi, 350 mln lekë, nis brenda vitit
Me një investim prej 350 mln lekë nga buxheti i shtetit, brenda këtij viti do të nisë ndërtimi i maternitetit të ri të Lezhës.
Gjatë prezantimit të ekipit të ri të mjekëve specialistë, të cilët i janë bashkuar spitalit rajonal të Lezhës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, prezantoi projektin për transformimin e spitalit të këtij qyteti, që nis pikërisht me ndërtimin e maternitetit të ri.
“Kemi finalizuar projektin për transformimin e spitalit rajonal Lezhë, që nis këtë vit me ndërtimin e maternitetit të ri, i cili do të jetë pjesë e korpusit spitalor”.
Godina e re e maternitetit do të ketë të gjitha shërbimet, duke filluar nga urgjenca, sallat e lindjes, dy salla operacioni, me një kapacitet 50 shtretër. Ndërkohë që, Manastirliu tha se projekti do të vijojë edhe në dy faza të tjera, me rehabilitimin e Poliklinikës së spitalit dhe rehabilitimin e plotë të godinës qendrore të spitalit të Lezhës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.