Matura shtetërore – Publikohen afatet kohore për monitorimin dhe vlerësimin e tezave
Bëhen publike afatet kohore për vlerësimin e provimeve të maturës shtetërore. Këshilli i Ministrave ka miratuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit duke vendosur si afate datat: për gjuhën e huaj 6 deri në 12 qershor, gjuhë dhe letërsi shqipe 10 deri në 16 qershor, matematikë 15 dhe 21 qershor dhe për lëndët me zgjedhje, 22 deri në 30 qershor. Në udhëzim përcaktohen dhe masat e sigurisë që do të shoqërojnë procesin e monitorimit të testeve.
Sipas Vendimit të publikuar në fletoren zyrtare, tezat e provimeve do të ruhen me shërbim 24-orësh nga Policia e Shtetit duke filluar që nga datat 6 qershor deri në fund të procesit. Po ashtu masa sigurie do të merren edhe për transportin e testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit, të cilat janë Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjellas.
Për drejtimin dhe mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit, Qendra e Shërbimit Arsimor do të caktojë në çdo qendër dhe për secilin provim dy specialistë, të cilët do të përzgjidhen dhe të trajnohen prej saj. Ndërkohë që është caktuar edhe grupi i administrimit dhe monitorimit të procesit të vlerësimit të provimeve, i cili përbëhet nga një përfaqësues i Qendrës së Shërbimit Arsimor, një nga ministria e Arsimit dhe një nga drejtoria arsimore rajonale përkatëse.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.