May, e vetme përballë Brexit – Sekretari për Brexit jep dorëheqjen, refuzon dorëlëshimet e kabinetit
Sekretari për Brexit David Davis, tha në nisje të javës se ka dhënë dorëheqjen, në mënyrë që të ndalojë Theresa May që ti japë shumë fuqi Bashkimit Europian, duke shtuar presionet te liderja britanike. Davis, që ka qenë një nga përkrahësit e Brexit në referendum, tha se marrëveshja e kabinetit të saj ka qenë shumë dorëlëshuese për negociatorët europianë, që sipas tij , do të kërkojnë më shumë pas kësaj.
Dorëheqja e tij në orët e para të mëngjesit, u ndoq nga të paktën 1 ministër tjetër në departamentin e Brexit, duke i dhënë një goditje May, që u duk se të premten kishte arritur një dakordësi me kabinetin e saj. Kjo ka rritur dyshimet nëse kryeministrja mund t’i prezantojë planet e saj për Britaninë në një parlament të ndarë. Dorëheqja mund të komplikojë më tej Brexit, ndërkohë që 9 muaj kanë ngelur nga data përfundimtare e daljes dhe 3 muaj përpara se BE të kërkojë një marrëveshje që do të përbëjë ndryshimin më të madh të politikave të jashtme dhe tregtare për Britaninë.
Paundi u rrit, ndërkohë që tregtarët u fokusuan te kompromisi me negociatorët europianë, që ka shtuar gjasat e një shkëputjeje më të lehtë me bllokun. “Shqetësimi im është se ata do të pranojnë ofertën tonë dhe do të kërkojnë më shumë. Kjo ka qenë praktika e tyre përgjatë vitit të kaluar”, tha Davis, duke shtuar se kjo është një strategji e rrezikshme. Në një letër drejtuar May, Davis u shpreh se ai nuk kërkon të jetë një parandalues i negociatave të saj.
May u përgjigj se nuk është dakord me portretizimin e politikave që u ranë dakord ditën e Premte, duke e falënderuar për punën e tij. Duke shtuar tensionet te partia konservatore e May, Steve Baker, një ministër që punonte për Davis, dha gjithashtu dorëheqjen. Sipas mediave lokale, një tjetër ministre në departamentin e Brexit, Suella Braverman, ka kërkuar gjithashtu të japë dorëheqjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.