May i dërgon letër Tusk – Kërkon shtyrjen e Brexit më 30 Qershor. Tusk ofron 1 vit
Kryeministrja britanike, Theresa May, i shkroi presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, ku i kërkoi për një vonesë për Brexit deri më 30 Qershor. Megjithatë, ajo tha se shpresopn ende të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian më herët, për të shmangur pjesëmarrjen në zgjedhjet e parlamentit Europian. Britania pritet tashmë të dalë javë ne ardhshme, por kryeministrja është detyruar të kërkojë më shumë kohë për të mbledhur parlamentin e ndarë britanik.
“Mbretëria e Bashkuar propozon që kjo periudhë të përfundojë më 30 Qershor 2019”, shkroi May në letër. Kjo vonesë detyron Britaninë që të marrë pjesë në zgjedhjet europiane. Kryeministrja tha se Britania do të përgatitet për zgjedhjet, por shtoi se shpreson që të arrihet një marrëveshje më herët, duke lejuar mbylljen e procesit parakohe.“Qeveria kërkon të bie dakord për një afat kohor për ratifikimin, që lejon Mbretërinë e Bashkuar të tërhiqet përpara datës 23 Maj, e për rrjedhojë të mos marrë pjesë në zgjedhjet e parlamentit”, shkroi Theresa May. Ndërkohë, Kreu i këshillit, Donald Tusk, u përgjigj duke i ofruar Britanisë një zgjatje fleksibël të datës së Brexit me 12 muaj, me mundësinë që të dal edhe më herët nëse arrihet një zgjidhje në parlament.
Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian, thuajse 3 vite pasi vendi votoi, është vënë nën dyshim, për shkak se parlamenti britanik nuk mund të vendosë për kushtet e daljes. May ofroi të japë dorëheqjen nëse marrëveshja e saj kalon në parlament, por u mposht për herën e tretë javën e kaluar. Ajo ndodhet tashmë në bisedime me liderin e opozitës Jeremy Corbyn, për të gjetur një mënyrë që të zgjidhë këtë çështje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.