May kërcënon “rebelët” – “Votoni planin tim për Brexit, përndryshe s’do ketë marrëveshje fare”
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka paralajmëruar rebelët brenda partisë së saj se nëse nuk mbështesin planin e saj për Brexit, do të përballen me një dalje të ashpër nga Europa. Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars 2019 dhe negociatat kanë ecur me ritme tejet të ngadalta.
Plani i May për Brexit dhe fati i qeverisë së saj është vënë në rrezik, për shkak se është e paqartë nëse mund të kontrollojë 320 votat që i duhen në parlament për të miratuar marrëveshjen e Brexit. Sinjalet e fundit nga Brukseli kanë shtuar shpresat se të dy palët mund të arrijnë një dakordësi përpara 29 Marsit, pavarësisht se ka ende ndasi mbi 20% të detajeve të kësaj marrëveshjeje. Drejtuesit e bizneseve dhe investitorët kanë shfaqur shqetësime mbi ndikimin politik te kjo marrëveshje, gjë që mund të shtyjë ekonominë e 5-të më të madhe në botë drejt divorcit të ashpër me Europën, duke tronditur bursat dhe tregtinë.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se ndërkohë që Britania përballet me një zgjedhje mes Brexit të keq dhe daljes pa marrëveshje fare, votuesit duhet të kenë të drejtën e një tjetër referendumi. Ish-ministri i jashtëm i Theresa May, Boris Johnson, ka sulmuar gjithashtu planet e saj për Brexit. “Nëse negociatat vazhdojnë me këtë ritëm, do të përfundojnë në një aksident spektakolar”, tha ai. Propozimet e Theresa May përfshijnë tregtinë e lirë të mallrave me BE, ndërkohë që Britania pranon rregullat e përbashkëta të Europës për këto mallra.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.