May mban shpresat te bizneset – Do t’i kërkojë pëlqimin e marrëveshjes për Brexit
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, do të kërkojë mbështetje nga liderët e bizneseve për planin e saj të Brexit, ndërkohë që partia e saj nisi një sfidë të lidershipit.
May është përballur me një situatë tejet të vështirë që prej Javës së kaluar ku prezantoi projekt marrëveshjen e Brexit, pasi disa Ministra dhanë dorëheqjen përfshirë ministrin e divorcit, Dominic Raab.
Liderja britanike ka premtuar se do të vazhdojë betejën dhe paralajmëroi se dorëheqja e saj do të vonojë daljen e Britanisë. Bashkimi Europian do të zhvillojë një samit për të diskutuar marrëveshjen më 25 Nëntor.
May do të zhvillojë takime me grupin përfaqësues të bizneseve CBI. Ndërkohë që 2 vite kanë kaluar nga referendumi i vitit 2016, është ende e paqartë nëse Britania do të dalë më 29 Mars 2019 dhe liderët e bizneseve shqetësohen se vendi do të dalë pa arritur një marrëveshje me Europën.
May ka thënë se projekt marrëveshja e arritur javën e kaluar, që u kundërshtua bindshëm nga kabineti i saj, përbën një dakordësi të mirë për Britaninë.
Megjithatë, rebelët e Brexit në partinë e saj Konservatore po përpiqen të zhvillojnë një votëbesim për lidershipin e saj. Për të nxitur një votim të tillë, 48 politikanët e partisë Konservatore duhet të dërgojnë një letër drejt kryetarit të komisionit 1922, Graham Brady, i cili ka thënë se nuk është arritur ende numri 48.
Gazeta “The Sun” raportoi se rebelët ishin 6 vota mangut. Kritikët argumentojnë se Theresa May rrezikon të ndajë Mbretërinë e Bashkuar, duke afruar më shumë Irlandën e Veriut me rregullat e Bashkimit Europian, se sa me Britaninë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.