May mbledh biznesin – Do kryesojë këshillin e ekonomisë me sipërmarrjen për Brexit
Kryeministrja britanike Theresa May do të kryesojë diskutimin për Brexit dhe ekonominë në takimin e parë të këshillit të biznesit.
Ky takim ka për qëllim që të rindërtojë urat mes kompanive që janë të shqetësuara në lidhje me largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian. Qetësimi i bizneseve aktualisht mbetet një ndër prioritetet kyçe të Theresa May.
Shumë biznese e kanë akuzuar kryeministren se ka dështuar që të shuajë shqetësimet duke krijuar më shumë pasiguri.
Ndër të tjera, sipërmarrja britanike dhe ajo e huaj që operon në vend kërkon nga qeveria që të bindë Bashkimin Europian për një marrëveshje tranzicioni pas daljes formale të vendit nga unioni në Mars të vitit 2019.
Takimi i May me sipërmarrjen vendase shënon një kthesë të madhe për qeverisjen e saj. Në këtë mënyrë, qeveria e drejtuar nga ajo do të vendosë një linjë komunikimi direkte me sipërmarrjen.
Këshilli do të mblidhet në një bazë periodike. Së bashku me këshillin do të ketë takime periodike edhe mes pesë organizatave më të mëdha tregtare në vend, ku takimi do të kryesohet nga kreu i financave, Philip Hammond.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.