Mazhoranca ndryshon kurs – Miratohet heqja e akcizës për pijet energjike
Ndryshim në minutën e fundit në paketën fiskalë të vitit të ardhshëm. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar gjatë diskutimit nen për nen heqjen e akcizës për pijet energjike.
Por kjo është shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, përfaqësues të kësaj të fundit nuk morën pjesë në votim. Me një amendament të veçantë deputeti i PS, Ervin Bushati, kërkoi që akciza për këto pije të hiqet pasi nuk ka patur efekt në uljen e konsumit.
Ndërsa deputete e PD, Jorida Tabaku, u shpreh se vite më parë ata u akuzuan padrejtësisht për klientelizëm.
Akciza për pijet energjike u vendos në janar të vitit 2014, fillimisht në masën 50 lekë për litër. Por taksa u kundërshtua nga importuesit e pijeve energjike, të cilët argumentojnë se akciza ka krijuar deformime në treg. Në paketën fiskale të vitit 2015, u ul akciza nga 50 lekë për litër që ishte fillimisht në 30 lekë për litër, nivel që vazhdon të jetë në fuqi.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.