Mbështetja për gratë sipërmarrëse – MZHETTS prezanton një bilanc për 2013-2016
Në ditën e Gruas, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka publikuar disa statistika për mbështetjen e grave në sipërmarrje gjatë tre viteve të fundit.
Të dhënat tregojnë se shumë gra kanë mundur të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë financime të ndryshme nga projekte vendase dhe të huaja, por gjithsesi numri i tyre është ende shumë i vogël në raport me meshkujt.
Kështu, nga Fondi i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) kanë përfituar 62 gra nga 99 biznese në total. Shuma për financimin e këtyre sipërmarrjeve me në krye gratë është 39.4 milionë lekë nga 81.7 milionë lekë në total. Në përqindje kjo shprehet në 48% të fondit të akorduar për 62% të përfituesve.
Edhe nga linja e kredive italiane kanë mundur të përfitojnë 18 gra sipërmarrëse me një vlerë prej 4.53 milionë euro.
Edhe nga projektet në turizëm gratë kanë mundur të fitojnë 2 nga 9 projekte, me një vlerë totale prej rreth 11 milionë lekë.
Siç shihet nga të dhënat, sipërmarrjet femërore kanë mundur të përfitojnë nga fonde të ndryshme, por janë ende larg përfaqësimit të barabartë në biznes.
“Zhvillimi i politikave për gruan sipërmarrëse është objektiv i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare”, thuhet në statusin e Ministres Milva Ekonomi, ndërsa “MZHETTS e sheh fuqizimin ekonomik të gruas, si një nevojë dhe domosdoshmëri të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”.
SCAN
Zhvillimi i politikave për gruan sipërmarrëse është objektiv i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare. Ministria e Zhvillimit…
Posted by Milva Ekonomi on Wednesday, March 8, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.