Mbështetje për të varfrit – Basha nga Lezha: PD s’ju lë në mëshirë të fatit
“E kam bërë mbrëmë një copë byrek, rafti ja ku është bosh. Tek Kryqi i Kuq kam dhënë gjak. Për çfarë? Vetëm për të mbajtur fëmijët me një pako makarona. Frigoriferi nuk punon. Urdhëro. Gjak trupi po jap, vetëm me rrit tre jetimë”.
Ardian Dani, baba i vetëm që pas humbjes së bashkëshortes, rrit tre fëmijë të mitur. Përjashtimi i tij nga ndihma ekonomike e ka lënë në mëshirë të fatit. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi disa familje në Lezhë që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Basha iu ka premtuar qytetarëve të Lezhës se opozita do të ngrejë zërin për ta në parlament dhe se nuk do t’i lë këto familje në mëshirë të fatit.
“Ne kemi ardhur për të qarë hallin me ju dhe për të ngritur zërin për ju. Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike”, tha Basha.
Sipas opozitës qeveria nuk e ka bërë akoma transparencën e pikëve që ka nxjerrë jashtë skemës së ndihmës mbi 20 mijë familje të varfra. Në datën 15 Mars opozita ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.