Mbetjet elektronike: Miniera e re urbane e metaleve të çmuara!
Një teknologji e re lejon rikuperimin e metaleve të çmuara nga mbeturinat tona elektronike
Quhet minierë urbane dhe është kufiri i fundit i riciklimit efektiv të mbetjeve elektronike: falë përdorimit të teknologjive të ndryshme, të gjitha metalet e çmuara që përmbahen brenda tyre rikuperohen nga telefonat inteligjentë, kompjuterët, televizorët dhe pajisjet e ndryshme.
Ari, bakri, argjendi por edhe paladiumi e rodiumi përdoren për ndërtimin e pllakave elektronike dhe mikroprocesorëve. Megjithatë, këto janë procese të gjata, të shtrenjta që kërkojnë sasi të konsiderueshme energjie, deri në atë pikë sa nuk janë shumë fitimprurëse për ata që i përkushtohen.
Sidoqoftë, zbulimi i fundit nga një ekip studiuesish në Universitetin Rice, mund t’i bëjë këto procese më të arritshme. Bing Deng dhe bashkëpunëtorët e tij përshtatën një proces industrial të njohur si “ngrohja flash Joule”, e përdorur zakonisht për prodhimin e grafenit dhe materialeve të tjera super të hollë.
Materiali që do të riciklohet, pasi të bëhet pluhur, çohet menjëherë në një temperaturë prej 3142 ° C falë një shkarkimi elektrik veçanërisht intensiv. Në këtë temperaturë metalet avullohen dhe thithen deri në një dhomë kondensimi ku ftohen dhe ngurtësohen përsëri. Materialet e ndryshme më pas ndahen dhe rikuperohen përmes proceseve të zakonshme industriale.
Ky proces, i cili konsumon relativisht pak energji, lejon gjithashtu që metalet toksike si plumbi, arseniku, kadmiumi dhe merkuri, të cilat zakonisht janë të vështira për t’u ndarë, të rikuperohen dhe të asgjësohen siç duhet. Ajo që mbetet pas avullimit është një material inert, me përqindje shumë të ulëta të substancave toksike: pas një cikli avullimi, përqendrimi i plumbit në materialin që rezulton ishte më pak se 0,05 pjesë për milion, një nivel që konsiderohet i sigurt në tokat e përdorura në bujqësi.
Kjo teknologji, pasi efektiviteti i saj të verifikohet në një shkallë industriale, mund të përfaqësojë një alternativë të vlefshme për nxjerrjen tradicionale të metaleve nga thellësitë e Tokës ose Oqeaneve. Sipas vlerësimeve, më shumë se 40 milionë ton mbetje elektronike përfundojnë në deponi çdo vit dhe vetëm 20% e tyre riciklohen. FOCUS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.