Mbetjet në grykëderdhjen e lumenjve – Klosi: 800 raste abuzimesh me ligjin, nxis hetimet
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka kërkuar hetimin e përgjegjësve për ndotjen e grykëderdhjeve të lumenjve Erzen dhe Ishëm. Mëngjesin e së shtunës, Klosi inspektoi nga afër aksionin e pastrimit në grykëderdhjen e lumit Erzen, nga mbetjet spitalore të hedhura përgjatë zonës duke e quajtur të pafalshme ndotjen e një një zonë me potenciale të mëdha zhvillimi turistik.
“Është e pafalshme që në një zonë me potenciale të mëdha zhvillimi turistik në vend të evidentohet një numër kaq i madh mbetjesh spitalore të cilat padyshim kanë një autor dhe ne i kërkojmë organeve të drejtësisë, natyrisht do të bashkëpunojmë edhe me organet e rendit për të vënë para përgjegjësisë autorin konkret të këtij krimi mjedisor”, tha Klosi.
I pyetur nga mediat për situatën edhe në grykëderdhjen e Ishmit, ministri Klosi bëri me dije se situata në këtë lum është një shqetësim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit, por tashmë është bërë një investim goxha i madh me fondet e qeverisë.
“Padyshim është një shqetësim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit . Kemi bërë një investim goxha të madh me fondet e qeverisë shqiptare gjatë këtij viti dhe pas disa ditësh do të jemi edhe në Ishëm dhe do të jemi në të gjithë grykëderdhjet e lumenjve për të ndërtuar së bashku një strategji shumë të fortë që këtë pasuri të madhe kombëtare që ka bregdeti shqiptar, këtë burim kaq të madh të ardhurash edhe ekonomike që është pasuria jonë e turizmit, të kemi mundësi ta luftojmë edhe të kemi mundësi edhe të investojmë më shumë për të bërë një Shqipëri më të pastër”, u shpreh Ministri.
Ministri apeloi qytetarët që të denoncojnë çdo krim mjedisor duke bërë të ditur se deri tani plot 800 raste janë evidentuar, ku biznese të ndryshme që kanë komunikim me lumenjtë dhe bregdetin nuk zbatojnë lejen mjedisore.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.