Mbi 6 miliardë euro transaksione bankare
Mbi 6 miliardë euro është vlera e transfertave ndërbankare e realizuar vetëm gjatë periudhës janar – shtator 2016, ndërsa në Bankën Qendrore të Kosovës nuk është raportuar asnjë rast i pasigurisë në kryerjen e transaksioneve “online”. Gjermania është shteti me të cilin Kosova realizon numrin më të madh të transaksioneve bankare hyrëse dhe dalëse
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) deri më tani nuk ka të evidentuar asnjë rast që është raportuar rreth pasigurisë në kryerjen e transaksioneve bankare “online”. Shifrat tregojnë se sektori bankar në Kosovë ka dëshmuar shkallë të lartë të sigurisë. Kurse, shteti me të cilin Kosova ka numrin më të madh të transaksioneve bankare hyrëse dhe dalëse është Gjermania.
Gjatë periudhës janar – nëntor 2016 janë kryer 2,917,800 transfere ndërbankare brenda Kosovës, në vlere totale prej mbi 6 miliardë eurosh.
Kurse numri dhe vlera e transfertave brenda bankës (kur urdhëruesi dhe pranuesi janë klient të së njëjtës bankë) gjatë periudhës janar – nëntor 2016 kap shifrën prej 220,707 transfertash me vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh. Në anën tjetër, numri i transfertave ndërkombëtare dalëse (të dërguara) për të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar është 181,048 me vlerë të transfertave prej mbi 3.1 miliardë euro.
Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka bërë të ditur se në numrin dhe vlerën e pagesave ndërbankare janë përfshirë: pagesat përmes RTGS-së (pagesa të klientëve me vlerë të madhe, pagesat bank-bank, letrat me vlerë të Qeverisë), pagesat përmes ACH-së (pagesa të klientëve me vlerë të vogël, pagesa përmes modulit masiv, paga/pensione, pagesat përmes modulit ‘Kos Giro’, pagesa të debitimit direkt), shkruan Zëri.
“Deri më tani nuk kemi ndonjë rast që është raportuar, i cili mund të shkaktojë pasiguri në kryerjen e transaksioneve ‘online’”, ka treguar Kada, për të shtuar se bankat dhe institucionet financiare posedojnë politika dhe rregullore të brendshme për trajtimin e dukurive edhe ne caktimin e çmimeve të transaksioneve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.