Mbi 600 mijë vërtetime online ne 1 vit – Tatimet: Kryesojnë pagesat e kontributeve te sigurimeve shoqërore
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se një vit nga ofrimi i shërbimeve përmes platformës online e- Albania, janë gjeneruar 618,717 vërtetime.
Sipas DPT, pjesa më e madhe janë vërtetime për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të marra nga individë apo subjekte, por edhe për pagim detyrimesh apo të tjera.
DPT shpjegon se përmes platformës e-Albania mund të merren në rrugë elektronike vërtetime për shërbime si deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit, kërkesa për vërtetim për individ të paregjistruar, kërkesa për vërtetim për posedim mjeti por edhe vërtetime si vërtetim për pagim detyrimesh dhe për pagimin e kontributeve nga subjekti, vërtetim për pagimin e kontributeve për individin dhe për përgjegjësitë tatimore, vërtetim për regjistrim të investitorit, vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën) dhe vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit.
Sipas njoftimit tatimpaguesit, individët dhe nënpunësit e Administratës Publike duhet të logohen në portalin e-Albania me anë të kredencialeve të tyre dhe më pas vërtetimet shkarkohen on line.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lajmëron se është e angazhuar maksimalisht për lehtësimin e procedurave për të ofruar në çdo kohë dhe me sa më pak kosto shërbim cilësor për çdo tatimpagues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.