Mbipeshë e pa kontroll teknik/ Task-Forca e Transportit Rrugor, 230 shkelje vetëm në shtator
230 akte konstatimi ka ndërmarrë Task Forca e Transportit Rrugor vetëm gjatë muajit shtator për shkelje që lidhen me mbipeshën, sistemin e frenimit apo mungesën e kontrollit teknik të automjeteve. Në fokus të Task Forcës është disiplinimi i transportit të udhëtarëve dhe mallrave, ndërkohë që aktet do të shqyrtohen nga Komisioni i Masave Administrative, që do të përcaktojë nëse automjetet e gjetur në shkelje do të penalizohen apo jo.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në javën e parë të vendosjes në funksion të pajisjes së kontrollit teknik dhe peshores së lëvizshme, nga kontrollet e ushtruara kanë rezultuar me shkelje afro 20 automjete të tonazhit të rëndë, për të cilat janë mbajtur edhe akt konstatimet përkatëse nga ana e inspektorëve. Përmes këtyre pajisjeve mundësohet një verifikim i shpejtë i mjeteve, ndërsa nga ana tjetër procesi monitorohet përmes kamerave të trupit të inspektorëve.
Paralelisht me këto në fokus të Task Forcës ka qenë edhe trasporti i paligjshëm i udhëtarëve, që është një shqetësim i vazhdueshëm i operatorëve të ligjshëm, të cilët kanë deklaruar se këto automjete shkelin konkurrencën e ndershme.
Ndërkaq, drejtuesit e Task Forcën kanë deklaruar se kontrollet do të vazhdojnë, ndërsa apelojnë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë Kodin Rrugor dhe ligjin e Transportit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.