Mbledhja e grupit të PD, Basha: Të ndryshojmë politikën, t’i ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë
“Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën deri kur shqiptarët të na besojnë me votën drejtimin e vendit”, kështu e nisi fjalën kreu i Partisë Demokrate Lulzim Basha në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, duke shtuar se askush nga forca politike që ai drejton nuk do të përfshihet në qeverisje.
Në këto katër vite të ardhshme, sipas Bashës PD ka tre sfida kryesore.
“Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do ti rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, po do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme. Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe ti ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do ti paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor.”
Kryedemokrati tha se PD nuk duhet të jetë vetëm një alternativë politike, por edhe alternativë morale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.