Mbledhja e Këshillit Politik, Gjiknuri: Amendimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen e listave. Opozita, qëndrim bllokues
Është mbajtur sërish mbledhja e Këshillit Politik për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese ku duket se palët ende nuk e kanë gjetur dakordësinë mes tyre. Përfaqësuesi i mazhorancës në këtë tryezë, Damian Gjiknuri, u shpreh se amendimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen e listave teksa shtoi se opozita jashtë parlamentit vijon me qëndrimin e saj bllokues.
“Amendimet kushtetuese nuk pengojnë as çështjen e hapjes së listave 100% për mënyrën si janë formuluar dhe as çështjen e koalicioneve parazgjedhore, të cilat janë çështje që rregullohen në Kodin Zgjedhor. Partia Demokratike ka thjesht qëllimin e taktikës bllokuese dhe zvarritjen për të mos e bërë të mundur këtë arritje që edhe ata vetë e kërkojnë ”
deputetja e opozitës në parlament Rudina Hajdari, u shpreh se në këtë mbledhje morën garanci nga maxhoranca se do të punohet për më tej në hapje 100 % të listave.
“Në këtë mbledhje morëm garancinë e para që mazhoranca duhet të kuptojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor ne duhet të shkojmë drejt garancisë se listat do të hapen 100% dhe kjo garanci u dha sot. Më tej pas ndryshimeve kushtetuese me datë 20 korrik jam e hapur që të bashkëpunoj me PD dhe çdokënd për të amenduar Kodin Zgjedhor në një mënyrë që garanton 100% hapjen e listave. ” – tha znj.Hajdari.
Nga ana tjetër Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, u shprehën të vendosur se nuk do të lejojnë ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës,
“Të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve duke ruajtur të paprekur koalicionet parazgjedhore siç janë sot ” – u shpreh ish-deputeti Bylykbashi.
Këto ndryshime të njëanshme janë produkt vetëm i Partisë Socialiste dhe i disa individëve të tjerë në Kuvend, pasi sot e pranoi dhe zonja Hajdari se ajo ka firmosur dhe ka pranuar vetëm hapjen e listave” – u shpreh ish-deputeti Vasili.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.