Mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve: “Situata e stabilizuar. Maturantët do rikthehen në shkolla, masat e tjera ende në fuqi”
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka zhvilluar mbledhjen e radhës për shqyrtimin e masave antiCovid.
Në analizën e dy javëve të shkuara Komiteti ka vërejtur se ka pasur një ulje të numrit të rasteve dhe të vdekjeve, si dhe u theksua se situata mbetet e stabilizuar, por shumë delikate.
Kjo është shprehur nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, e cila e ka cilësuar edhe shumë pozitive fillimin e vaksinimit:
“Incidenca dyjavore ka pësuar rënie. Totali i rasteve pozitive ka pësuar rënie. Numri i bashkive të prekura nga Covid është rritur dhe sidomos në bashkitë e vogla. Numri i të shtruarve në spitalet Covid ka pësuar rënie, numri i intubuarve është ulur. Numri i vdekjeve ka pësuar rënie.”
Më tej, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli është shprehur se Komiteti mori vendimin për rikthimin në në shkollë të maturantëve, teksa mbeten në fuqi masat e tjera antiCovid.
“Duke u bazuar në shifrat e infeksionit SARS-COV 2 në grupmoshën 15-20 vjeç dhe sidomos duke marrë parasysh rezultatet impresionuese që janë arritur me vaksinimin masiv, sidomos tek arsimtarët, në kushtet e momentit që zhvillohet viti akademik, maturat të fillojnë mësimin në klasë. Natyrisht që është një masë, vijimësia e të cilës do të kushtëzohet nga një monitorim shumë i kujdesshëm i shifrave gjatë kohës që këto matura do të jenë të hapura. Maturat duhet të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni SARS-COV2.
Masat e tjera do të mbeten njëlloj, siç është ora policore, nga ora 20:00-06:00. Baret e restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe njëkohësisht mësimi do të vazhdojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor. Fluturimet me Britaninë e Madhe do të vazhdojnë të jenë mbyllura deri në vlerësimin e dytë të të gjitha këtyre masave nga Komiteti i Eksperëve”, deklaroi Rakacolli.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.