Mblidhet Komiteti Teknik – Nga nesër, Shqipëria mbyllet në 20:00! Çfarë do të ndodhë me baret dhe restorantet?
Komiteti Teknik është mbledhur këtë të mërkurë duke vendosur masat e reja për përballimin e pandemisë së COVID – 19.
Duke filluar që nga dita e enjte, datë 11 shkurt, lëvizja do të kufizohet nga ora 20:00 e mbrëmjes, deri në orën 06:00 të mëngjesit, deri më datë 25 shkurt. Të përjashtuara janë emergjencat shëndetësore apo arsyet e punës, për të cilat aplikohet leja në platformën e – Albania.
Nga ana tjetër, për po të njëjtën periudhë kohore ndalohet aktiviteti i bareve, restoranteve dhe bizneseve të tjera, përjashtuar shërbimet e dërgesave në shtëpi (delivery).
Po ashtu, shkollat e mesme që i përkasin zonat me risk të lartë, përkatësisht Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec, Kamëz do të zhvillojnë mësimin online, ashtu sikur aktualisht po bëjnë universitetet.
Ministrja e Shëndetësisë shtoi ndër të tjera se dy javët e ardhshme janë vendimtare, pasi ato do të definojnë ose shtrëngim të masave, ose lirim të tyre.
“3 janë fjalët kyçe në këtë fazë kritike: Mobilizim, respekt, përkushtim” u shpreh Manastirliu gjatë mbledhjes së komitetit teknik të ekspertëve.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.