Mbretëresha Elizabeth II për Covid-19/ ‘Do bashkohemi me të gjitha kombet për të përballuar këtë betejë”
Mbretëresha Elizabeth II e ka krahasuar pandeminë e shpërthimit të koronavirusit me Luftën e Dytë Botërore në një fjalim para publikut britanik të Dielën. Gjatë fjalimit të saj ajo ka falënderuar, Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar dhe punëtorët e kujdesit shëndetësor që trajtojnë njerëzit në vijën e parë. Ndërkaq, paralajmëroi popullin britanik për sfidat me të cilat do të përballen si pasojë e Covid-19, sfida të cilat lidhen kryesisht me sektorin financiar.
“Shpresoj që në vitet në vijim të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën se si iu përgjigjën kësaj sfide, kjo për shkak se atributet e vetë-disiplinës, të vendosmërisë ende e karakterizojnë këtë vend.“- ka deklaruar Mbretëresha.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar urdhëroi qytetarët britanikë të qëndrojnë në shtëpi, që prej datës 23 Mars për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Më shumë se 47,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë testuar pozitive për COVID-19 dhe rreth 5,000 njerëz kanë vdekur.
“Kjo është një sfidë ndryshe nga ato që jemi përballur më parë. Këtë herë ne do të bashkohemi me të gjitha kombet në të gjithë globin në një përpjekje të përbashkët kundër betejës me Covid-19 “-tha Mbretëresha.
Pandemia e koronavirusit deri më tani ka infektuar mbi 1.2 milion njerëz dhe ka vrarë më shumë se 68,000 njerëz në të gjithë botën.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.