Mbretëresha, “OK” shtyrjes së Brexit – Nëse BE e refuzon, Britania do dalë pa marrëveshje të Premten
Mbretëresha Elizabeta i dha “Miratimin Mbretërorë” vonesës së Brexit që u kalua nga parlamenti dhe dhoma e Lordëve, duke e kthyer tashmë në ligj.
Ligji i ri do të detyrojë kryeministren Theresa May që t’i kërkojë Bashkimit Europian një vonesë tjetër të Brexit, në mënyrë që të mos dalë pa marrëveshje. Propozimi kaloi shpejtë në dhomën e ulët të parlamentit javën e kaluar dhe përfundoi në dhomën e Lordëve të Hënën në mbrëmje.
Sipas kushteve të reja, politikanët britanikë do të kenë fuqinë për t’i thënë kryeministres se sa e gjatë do të jetë vonesa e Brexit. Britania pritet të dalë nga Bashkimi Europian ditën e Premte, por Kryeministrja ka zgjedhur të mos ndjekë daljen pa marrëveshje. Theresa May kërkon ta shtyjë datën e Brexit nga 12 Prill në 30 Qershor, por liderët e Bashkimit Europian do t’i japin asaj një vonesë më të gjatë, gjë të cilën ajo nuk e preferon.
May ka nisur udhëtimin në Berlin dhe Paris, një ditë përpara samitit të Bashkimit Europian, ku do të diskutohet për kërkesën e Britanisë për vonesën tjetër të Brexit. May do të zhvillojë bisedime me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, në përpjekje për të shtyrë datën e Brexit. Nëse BE refuzon propozimin e Theresa May për një vonesë të dytë, Britania do të dalë më 12 Prill pa marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.