Mbretëria e Bashkuar, Princi Filip do të largohet nga jeta publike
Princi Filip, bashkëshorti 95-vjeçar i Mbretëreshës Elizabeta II, do të largohet nga jeta publike. Njoftimin e bëri pallati mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se princi nuk do të ketë më angazhime në publik duke nisur nga Shtatori.
Mbretëresha, e cila është 91 vjeç, ka rralluar gradualisht daljet e saj në publik vitet e fundit, por gjithsesi do të vazhdojë të mbajë detyrat e saj, e mbështetur edhe nga anëtarët e familjes mbretërore.
“Lartmadhëria e tij Duka i Edinburgut ka vendosur se nuk do të mbajë më angazhimi në publik duke nisur nga vjeshta e këtij viti. Në këtë vendim, Duka ka mbështetjen e plotë të Mbretëreshës”, thuhet në deklaratën e Pallatit të Buckingham-it.
Princi Filip do të marrë pjesë në angazhimet e programuar deri në Gusht, si vetëm , ashtu edhe duke shoqëruar Mbretëreshën. Më pas, Duka nuk do të pranoja ftesa të reja për vizita apo angazhime, edhe pse mund të zgjedhë të marrë pjesë në disa evente publike herë pas here.
Pallati ka komunikuar që prej 5 vitesh se Princi do të ulte ngarkesën e tij, megjithëse ai është dukur i gatshëm të kryejë detyrat e tij.
“Mendoj se e kam bërë pjesën tim, tani dua të kënaqem: të kem më pak përgjegjësi, më pak përgatitje, të mendohem më pak për diçka për të thënë”, tha Princi në një intervistë për BBC, në 90-vjetorin e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.